Legjenda e futbollit Thierry Henry e ka vlerësuar lartë performancës e sulmuesit francez, Antoine Griezmann në ndeshjen çerekfinale ndaj Barcelonës.
Griezmann shkëlqeu në përballjen e kthimit duke pasur një impakt të jashtëzakonshëm në kualifikimin tutje në gjysmënfinale të Ligës së Kampionëve.
Pas ndeshjes, sulmuesi i Atleticos u befasua nga mesazhi që mori nga legjenda e futbollit francez, Henry.
“Antoine… Antoine… Kam diçka për të të thënë: Faleminderit për gjithçka që ke bërë për futbollin francez, ekipin kombëtar dhe futbollin në përgjithësi”, tha në paraqitjen e tij televizive Henry derisa po fliste me Griezmannin pas ndeshjes.
Ish-sulmuesi i Arsenalit e Barcelonës i dëshiroi fat Griezmannit në aventurën e tij të re në MLS.
“Të uroj gjithë të mirat, që ta përfundosh mirë kohën tënde te Atlético de Madrid dhe fat të mbarë në Orlando. E njoh shumë mirë MLS-në; për çdo gjë që të nevojitet në lidhje me kohën tënde atje, do të jem i lumtur të të ndihmoj”, përfundoi Henry.
Lavdatat për Griezmann nuk i kurseu as trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone.
“Ai është një gjeni. Me kalimin e kohës, do ta kuptojmë se kemi pasur një gjeni futbolli këtu, një lojtar që bën diferencën, me përvojë dhe personalitet. Le të shpresojmë që Zoti dhe fati t’i japin atë që kërkon në kohën që i ka mbetur me ne”, tha Simeone.
Atletico Madrid arriti që ta eliminojë nga Liga e Kampionëve skuadrën e Barcelonës me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Në gjysmëfinale, Atletico do të përballet me fituesin e duelit Arsenal – Sporting.