Grumbullimi ose jo i Neymarit në Botërorin e këtij viti me Kombëtaren e Brazilit është bërë çështje shtetërore. Për këtë temë ka folur vetë presidenti i vendit, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili ka zbuluar bisedën që ka bërë me trajnerin Carlo Ancelotti.

“Kisha mundësinë të flisja me Ancelottin dhe ai më pyeti nëse duhet ta grumbullojmë apo jo Neymarin. Unë i thashë mendimin tim, që ai ka kualitet të lartë sportiv, por thjesht duhet të jetë i përgatitur fizikisht”, tha presidenti.

Neymar nuk është grumbulluar që kur Ancelotti ka marrë drejtimin e Seleçaos, që nga maji i vitit 2025, ndërsa sulmuesi nuk e vesh fanellën e kombëtares së tij që nga tetori i vitit 2023, kur pësoi një dëmtim kundër Uruguait.

Reklamë

34-vjeçari aktivizohet me Santosin në kampionatin brazilian dhe mbetet për t’u parë nëse trajneri italian do ta përfshijë në listën paraprake që do të publikojë më 18 maj. Brazili është pjesë e Grupit C të Botërorit, bashkë me Skocinë, Haitin dhe Marokun.