Kuvendi i Kosovës ka thirrur sot seancë të jashtëzakonshme në ora 17:00 për diskutim për presidentin.
Ai që iu përgjigj kësaj thirrjeje fillimisht ishte Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili tha se partia që ai drejton nuk do të marrë pjesë.
Abdixhiku madje e quajti “show propagandues të LVV-së” këtë seancë të thirrur.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, Kryetari Bedri Hamza tha se kjo parti e ka mbyllur çëshjen e presidentit.
“Pas të gjitha veprimeve dhe mungesës së seriozitet, ne kemi ardhur në përfundim që kjo temë konsiderohet si e mbyllur dhe e përmbyllur për PDK-në. I urojmë sukses për zgjedhjen e presidentit me 98 deputetë tjerë”, tha Hamza para gazetarëve.
Se nuk do të marrin pjesë në seancë u konfirmua edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se diskutimet për zgjedhjen e presidentit kanë qenë spektakël politikë dhe se kanë pasur kohë tre muaj për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Kosova i ka pas tre muaj për të diskutuar seriozisht për zjedhjen e presidentit qe nga themelimi i qeverisë e deri sot. Vazhdojmë ta themi edhe tash, diskutimet për zgjedhjen e presidentit kanë qenë një spektakël politik, performancë publike, me qëllimin që me ardhë në këtë sot ku jemi edhe disa orë derisa të përfundoj afati. Ne ende s’kemi një emër, përveç emrave që i ka propozuar VV-ja, që nuk janë kandidat unifikues të partive politike. AAK s’ka qenë e ftuar në këto diskutime dhe rrjedhimisht nuk marrim pjesë që prap është një performancë publike”, tha Tahiri para gazetarëve.
Afati për zgjedhjen e presidentit, sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, skadon më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet presidenti, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
/Reporteri.net/