×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Votimi për Presidentin

    Miftaraj: Kryetarja e Kuvendit dhe LVV’ja shkelën hapur Kushtetutën

    Reporteri
    27 Prill 2026 | 22:42

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe deputetët e LVV-së sonte “në mënyrë të hapur janë duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës”.

    Miftaraj, tha se Kushtetuta dhe praktika e gjyqësisë kushtetuese, përfshirë aktgjykimin e fundit, janë shumë të qarta.

    “Në sallë duhen 80 deputetë për t’u konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit. Në rastin kur mungon kjo shumicë, dëshmohen qëllimet jo të mira të partisë në pushtet”.

    Sipas Miftarajt, fillimi i procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës, duke shkelur Kushtetutën dhe vendimet e GJK-së, pa konsensus dhe debat politik minimal dhe vetëm me votat e shumicës parlamentare nga partia në pushtet, cenon frymën e Kushtetutës, e cila kërkon legjitimitet të gjerë për këtë funksion.

    “Qëllimi kushtetues është që presidenti të mos jetë produkt i një partie të vetme politike, por rezultat i një përfaqësimi gjithëpërfshirës si garant i unitetit të popullit”, tha ai.

    Miftaraj po ashtu tha se mënyra si ka filluar kjo procedurë, duke u tërhequr dy kandidaturat e mëparshme dhe, me këtë, edhe nënshkrimet e protokolluara, ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.

    “Shmangia e një konsensusi minimal dhe përdorimi i procedurave duke shkelur Kushtetutën dhe praktikën e GJK-së cenon rendin kushtetues”, tha ai për REL.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!