Ministri i Financave, Hekuran Murati ka akuzuar deputetët e opozitës për shkelje të Kushtetutës për shkak të mos pjesëmarrjes në seancën për zgjedhjen e Presidentit.
Ai deklaroi se janë ofruar kompromise, përfshirë postin e Kryetarit të Kuvendit dhe kërkesën për tre emra konsensualë, por sipas tij opozita nuk ka propozuar asnjë kandidat.
Murati theksoi se edhe propozimi i Feride Rushitit nuk u mbështet, ndërsa ka pyetur se pse opozita me çdo kusht po dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
“Të vetmit që po e shkelin Kushtetutën janë deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në seancën e zgjidhjes së Presidentit. Kërkuan që një subjekt politik të mos i ketë të tri pozitat e larta shtetërore. Ua ofruam Kryetarin e Kuvendit, nuk e pranuan. Ua ofruam që t’i sjellin 3 propozime konsensuale, nuk e sollën asnjë emër. Propozuam znj. Feride Rushiti, një profesioniste e shquar dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht, e cila do t’i bënte nder vendit si Presidente, dhe opozita përsëri nuk merr pjesë. Pse me çdo kusht opozita po dëshiron ta dërgojë përsëri vendin në zgjedhje?”, ka shkruar Murati në Facebook.
/Reporteri.net/