Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me certifikimin e dhjetë kandidatëve të subjektit “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” të Nenad Rashiqit, për zgjedhjet e 7 qershorit, shkruyan Reporteri.net.
Lista Serbe ishte ankuar kundër certifikimit të kandidatëve të kësaj partie, me arsyetimin se “ka kandidatë që nuk janë anëtarë të komunitetit serb: Alil Derlek, i cili është shtetas i kombësisë Boshnjake, dhe Lazar Radulović, i cili deklarohet publikisht si Malazez”.
Supremja ka gjetur se ankesa është e pabazuar, meqë “ ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb”.
“Gjykata Supreme thekson se publikimet në portale elektronike apo artikujt medialë nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për të vërtetuar përkatësinë etnike të kandidatëve. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se barra e të provuarit bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten vetëm në supozime apo interpretime subjective”, thuhet në njoftim.
Gjykata Supreme vlerëson se vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve./Reporteri.net