Kandidati për deputet nga LDK, Blerim Kuçi, ka ngritur shqetësimin për atë që e ka cilësuar si paqartësi kushtetuese të rrezikshme në vend.
Pas takimeve me banorët e Budakovës dhe Stravuçinës së Suharekës, Kuçi ka thënë se Kosova mund të përballet me vakum institucional, pasi sipas tij, përfundon mandati i ushtruesit të detyrës së Presidentit, ndërsa Kuvendi është i shpërbërë.
Ai ka paralajmëruar se më 4 tetor vendi rrezikon të mbetet pa President dhe pa ushtrues detyre të Presidentit.
“Vakumi institucional është i papranueshëm për një shtet demokratik dhe kërkon reagim të menjëhershëm. Nevojitet urgjentisht qartësi kushtetuese, institucione funksionale dhe zgjidhje serioze, para se kriza të kthehet në precedent”, ka thënë Kuçi.
Ai është zotuar se, nëse merr mandat deputeti, do të angazhohet që kjo çështje të trajtohet me prioritet dhe me përgjegjësi të plotë institucionale, deri në mbylljen e boshllëqeve ligjore.