Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bardhyl Hasanpapaj, ka deklaruar se figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje “frikësohen” të flasin kundër Vjosa Osmanit, kandidates për presidente.

Hasanpapaj, i cili në zgjedhjet e 7 qershorit kandidon me numrin 34, tha se edhe kur zyrtarët e LVV-së e kritikojnë Osmanin, sipas tij, këtë e bëjnë “me moderim”.

“Lëvizja Vetëvendosje, po t’i marrim figurat kryesore, akoma frikësohen, saktësisht frigohen të flasin keq për Vjosa Osmanin. Po flas për figurat kryesore, në kuptimin e kryetarit të partisë, nënkryetarëve, grupit parlamentar e të tjerë”, deklaroi Hasanpapaj.

Reklamë

Sipas tij, LVV-ja përdor propagandë indirekte ndaj Osmanit, ndërsa publikisht mundohet ta ruajë dhe ta përdorë për vete imazhin e saj politik.

“Edhe kur e bëjnë, e bëjnë me një moderim. Ata hedhin gurin, por fshehin dorën. E organizojnë krejt ushtrinë e propagandës për të hedhë baltë e për të kriju huti, por njëkohësisht mundohen me ruajt atë pjesën e njerëzve të arsyeshëm të cilëve s’mund t’ua hedhin”, u shpreh ai.

Hasanpapaj tha se, sipas tij, ka pasur një përpjekje të koordinuar për ta dëmtuar politikisht Osmanin, por pa e humbur përkrahjen që ajo gëzon tek qytetarët.

“Ideja që brenda natës ajo u bë e keqja, u bë tradhtarja… ata janë të kujdesshëm. Gjatë gjithë kaosit publik që servonin qytetarëve, thoshin se dëshironin ta bënin Vjosa Osmanin presidente, por nuk i kishin votat”, deklaroi ai.

Ai përmendi edhe një deklaratë të Glauk Konjufcës, duke e cilësuar si “manipulim me opinionin publik”.

Reklamë

“Dilke vetë nënkryetari i partisë, kandidat për president, zotëri Konjufca dhe thoshte: ‘Po të vijë Vjosa Osmani kandidate për presidente, unë ia jap votën’. A e kuptoni çfarë pasinqeriteti ekstrem? Një koreografi e organizuar për të thënë se nuk kanë asgjë kundër Vjosa Osmanit”, tha Hasanpapaj.

Në fund, ai shtoi se, sipas tij, synimi i LVV-së ka qenë “eliminimi politik” i Osmanit, por duke tentuar ta ruajnë për veten autoritetin dhe imazhin e saj publik.