Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bardhyl Hasanpapaj, i cili gjendet me numrin 34 në listën zgjedhore të këtij subjekti politik, ka deklaruar se me mandatin e parë, falë miqësive të ish-presidentes së Vjosa Osmanit, Kosova mund të anëtarësohet në NATO.

Hasanpapaj ka thënë pos tjerash se brenda mandatit të LDK-së Kosova mund të anëtarësohet edhe në Këshillin e Evropës dhe të progresojë drejt anëtarësimit në BE.

“Gjysmën e punës LDK-ja e bën me zgjedhjen e presidentes Osmani edhe për një mandat të dytë. E dyta, me një program dinamik, ku ne besojmë që, që në mandatin e parë mund ta anëtarësojmë Kosovën në NATO. Mund ta anëtarësojmë Kosovën në Këshillin e Evropës dhe mund të kemi progres substancial në drejtim të BE-së. Jemi vendi i vetëm në Evropë që s’kemi status të vendit kandidat. Është bllokuar çdo lloj diplomacie efektive tash e pesë vite”, deklaroi Hasanpapaj.

Reklamë

Hasanpapaj më tej ka lavdëruar punën e Osmanit si presidente në arenën ndërkombëtare.

“Se ne për pesë vite e kemi pasur një qeveri të bllokuar, të izoluar që nuk ka punuar asgjë në dobi të qytetarëve dhe kemi pasur një presidencë që ka qenë super aktive në arenën ndërkombëtare, ekstrem e suksesshme. Ka sjellë katër njohje në një moment kur Kosova ka qenë totalisht e izoluar. Ka qenë prezente në çdo forum ndërkombëtar dhe në marrëdhënie të shkëlqyer me SHBA-të dhe me një miqësi dhe kontakt të vazhdueshëm me BE-në”, ka thënë në Klan Kosova.