Zyrtari i LDK-së, Egzon Pacolli ka shprehur mbështetje për kandidatin me numër 68 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gentrit Murseli, duke e vlerësuar si një figurë të angazhuar dhe të përkushtuar në jetën politike dhe organizative të partisë.
Pacolli ka theksuar rrugëtimin e gjatë të Murselit në politikë, duke e përshkruar si një aktivist që ka nisur që në moshë të re dhe që ka kontribuar vazhdimisht në terren dhe në strukturat e LDK-së.
“Ka njerëz që i ke pranë që nga ditët e para të idealeve. Që i ke pranë në aksione, në takime, në terren, duke mbajtur flamurin dhe duke punuar pa kërkuar asgjë në këmbim. Gentrit Murseli është njëri prej tyre”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka vlerësuar edhe angazhimin e Murselit në strukturat rinore të partisë, duke theksuar se “e kam parë nga afër përkushtimin e tij, si adoleshent me flamur në duar, deri sot kur është Kryetar i Forumit të Rinisë në Gjilan, Nënkryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në nivel vendi dhe asambleisti më aktiv i shpallur në nivel të Kosovës”.
Pacolli ka shtuar se Murseli nuk e ka pasur të lehtë rrugëtimin e tij politik.
“Asgjë nuk i ka ardhur dhuratë. Çdo hap e ka fituar me punë, sakrificë dhe besnikëri ndaj idealeve që i ka mbrojtur gjithmonë”, ka theksuar ai.
Në fund të reagimit të tij, Pacolli ka vlerësuar kandidimin e Murselit për Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar si vazhdimësi të një angazhimi të gjatë politik.
“Shoh një shok me të cilin kemi ndarë rrugëtimin politik, një djalë që ka nisur nga baza dhe që me mund e përkushtim ka arritur çdo sukses. Nga aktivisti me flamur në dorë, drejt Kuvendit të Kosovës. Të priftë e mbara dost!”, ka shkruar Pacolli.