Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Viktor Buzhala, ka deklaruar se bashkëshortja e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, si dhe bashkëshorti i deputetes Doarsa Kica-Xhelili, janë të përfshirë në kompani që operojnë në tregtimin e energjisë elektrike.
Buzhala, i cili garon me numrin 78, ka pretenduar se këto lidhje janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).
“Pazare ka LDK-ja, del gruaja e Lumir Abdixhikut me kompani për tregtim të energjisë, del Lutfi Haziri i lidhur me kompani për tregtim të energjisë, bashkëshorti i Doarsa Kica-Xhelilit me kompani për tregtim të energjisë, dhe kjo na akuzon neve. Cilin kompani e kam unë? Ato janë të dhëna në ARBK”, ka deklaruar Buzhala.
Ndaj deklarimeve se bashkëshportët e tyre kanë kompani për tregtim të energjisë kohë më parë patën reaguar Lumir Abdixhiku dhe Doarsa Kica-Xhelili, duke i mohuar pretendimet dhe duke i cilësuar ato si shpifje.
Abdixhiku, kishte deklaruar se bashkëshortja e tij, Albina, është përfshirë padrejtësisht në këtë çështje dhe se do të ndjekë rrugë ligjore për mbrojtjen e emrit të saj.
“Natyrisht që, në ditë zhvillimesh me interes kombëtar, aktivizohen grupet parapolitike me shpifje… Sot kanë përfshirë edhe bashkëshorten time, Albinën, me pretendime të pavërteta për ‘përfitime politike’ e ‘tregti me energji elektrike’. Sa lehtë shpifet këndej”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai kishte paralajmëruar se bashkëshortja e tij do të paraqesë padi ndaj shpifësve, vendim të cilin ai e ka mbështetur plotësisht.
Ndërkohë, Doarsa Kica-Xhelili kishte sqaruar se bëhet fjalë për një investim të vogël në sektorin e energjisë solare dhe jo për aktivitetet e pretenduara të tregtimit të energjisë elektrike.
“Nuk po flasim për tregtim të energjisë elektrike, por për një projekt të vogël solar. Është një park solar që synon prodhimin e energjisë elektrike brenda Kosovës dhe shitjen në tregun e lirë tek bizneset private”, ka deklaruar ajo.