Teksa janë numëruar 21.48 për qind e votave nga zgjedhjet e 7 qershorit, rezultatet preliminare tregojnë dallime të mëdha në mbështetjen që kanë marrë ministrat e Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas të dhënave të deritanishme, kandidati më i votuar nga kabineti qeveritar është Glauk Konjufca, i cili ka siguruar 35,852 vota, duke lënë pas me diferencë të konsiderueshme ministrat e tjerë.
Në vendin e dytë renditet ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me 17,840 vota, ose mbi 18 mijë vota më pak se Konjufca.
Pas tij vijnë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, me 16,487 vota, si dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me 13,237 vota.
Mbi 10 mijë vota kanë marrë edhe Mimoza Kusari-Lila me 11,437 vota dhe ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, me 10,977 vota.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë 9,838 vota, ndërsa ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, 6,322 vota.
Në pjesën e poshtme të listës renditen Saranda Bogujevci me 4,742 vota, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me 3,903 vota, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fitore Pacolli-Dalipi me 3,318 vota, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha me 3,110 vota dhe Armend Muja i Bujqësisë me 2,899 vota.