Protestuesit, në natën e 17 të protestave kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK’së, kanë vazhduar protestën edhe tek Ministria e Drejtësisë.

Numri i madh i protestuesve, duke bartur pankarta me mesazhin ‘Jo në emrin tim’, u nisën drejt MD’së ku kërkuan të votohet ligji për Specialen.

Tek ministria u panë edhe një numër policësh të cilët kishin formuar një kordon, ndërsa në një moment, protestuesit hodhën edhe mjete piroteknike.

Reklamë

Në protestë, organizatori i ‘’Jo në emrin tim’’, Çlirim Haziri, i ka kërkuar ministres Donika Gërvalla që ta procedojë ligjin për Specialen, duke theksuar se ata nuk do të ‘’ndalen asnjë natë’’.

‘’Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrisë, te ministrja Donikë, i kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK’së, ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi derisa asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…’’, ka thënë mes tjerash Haziri.

‘’Motra e vëllezër mos e gjuani asnjë mjet piroteknik drejt policisë. Në mesin tonë ka fëmijë e nëna, mos gjuani’’, ka kërkuar Haziri nga protestuesit.

Reklamë