×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026 / QNR

    Në nëntë komuna përfundon numërimi i votave për deputetë, vazhdohet për t’u siguruar se askush s’ka votuar dy herë

    Reporteri
    09 Qershor 2026 | 17:51

    Në nëntë Qendra Komunale të Numërimit është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të partive, shkruan Reporteri.net.

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar se procesi është përmbyllur në Junik, Han të Elezit, Partesh, Mamushë, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot dhe Novëbërdë.

    Qendrat Komunale, të cilat kanë përmbyllur procesin e numërimit dhe verifikimit, do të dorëzojnë materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    “Në QNR së shpejti do të fillojë skanimi i Listës së Votuesve nga vendvotimet e rregullta nga disa prej komunave që tashmë kanë përfunduar punën QKN dhe që kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Skanimi i listës së votuesve që është përdorur në vendvotime është i domosdoshëm para se të fillohet me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse i ndihmon KQZ-së të sigurohet se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht.”, ka deklaruar Elezi.

    Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 29 QKN-të tjera: Deçan (25/48), Dragash (26/57), Ferizaj (49/146), Fushë Kosovë (17/62), Gjakovë (39/144), Gjilan (31/127), Drenas (Gllogoc) (26/73), Graçanicë (18/33), Istog (28/60), Kaçanik (19/44), Kamenicë (27/46), Klinë (29/62), Leposaviq (12/25), Lipjan (34/83), Malishevë (21/72), Vushtrri (17/89), Mitrovicë e Jugut (40/100), Mitrovicë e Veriut (12/21), Obiliq (29/34), Pejë (32/135), Podujevë (31/103), Prishtinë (38/262), Prizren (49/232), Rahovec (32/75), Ranillug (8/10), Skenderaj (26/71), Suharekë (26/86) dhe Viti (29/62).

    Sipas të dhënave deri në ora 16:00, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 38 QKN-ve, është 902 nga 2,498 vendvotime apo mbi 36%. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!