×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026 / Kuvendi

    Cakolli thotë se sipas trendeve aktuale, VV do të kalojë në 53 mandate – a do ta humbë PDK apo LDK një ulëse?

    Reporteri
    16 Qershor 2026 | 18:23

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka shkruar lidhur me ndarjen e mandateve mes partive, teksa procesi i numërimit të votave me postë po shkon drejt fundit.

    Cakolli ka thënë se sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e disa mijërave votave shtesë, Vetëvendosja do të kalojë në 53 mandate, shkruan Reporteri.net.

    “Me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik”, ka shkruar Cakolli.

    Sipas tij, ajo që mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat.

    Cakolli thotë se gjasat janë që në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të.

    “Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të”, ka shkruar Cakolli.

    “Pra, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit”.

    Ai thotë se mandate i fundit do të mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht.

    “…të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës – dhe kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në”.

    Në anën tjetër, AAK thotë se pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse.

    “Me dinamikën e shtuar të punës në QNR, numërimi i votave me postë do të përmbyllet më së largu nesër paraditë, derisa votat me kusht deri nesër në mesnatë. Pastaj, në varësi të përqindjes së vendvotimeve (deri në 10% maksimum) që do të rinumërohen me vendim të KQZ-së, i tërë procesi i numërimit do të duhej të përmbyllej në fund të kësaj jave”, thuhet në postim./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!