Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se aktgjykimi në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00.
Sipas njoftimit zyrtar, seanca e shpalljes së aktgjykimit do të jetë publike dhe do të mund të ndiqet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe përmes faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara, si dhe nga galeria për publikun në ambientet e gjykatës në Hagë.
Trupi Gjykues ka bërë të ditur se shtyrja e shpalljes së vendimit ka ardhur si pasojë e kohës së nevojshme për shqyrtimin e një vëllimi të madh provash dhe kompleksitetit të çështjes, me qëllim të garantimit të një vlerësimi të plotë dhe të drejtë.
Për pjesëmarrje në seancë nga galeria për publikun kërkohet regjistrim paraprak, ndërsa gazetarët që dëshirojnë të ndjekin ose incizojnë seancën nga qendra e mediave duhet gjithashtu të regjistrohen.
Regjistrimi bëhet përmes emailit në adresën zyrtare të gjykatës, duke dërguar të dhënat personale dhe dokumentacionin përkatës, me afat deri më 24 korrik 2026, në ora 18:00. Konfirmimi i pjesëmarrjes do të dërgohet me email dy javë para shpalljes së aktgjykimit.
Dhomat e Specializuara njoftojnë gjithashtu se incizimi audio-vizual i seancës do të jetë i disponueshëm në faqen zyrtare dhe në kanalin e tyre në YouTube.
Çështja ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me konfirmimin e aktakuzës në vitin 2020, ndërsa gjykimi është zhvilluar që nga prilli i vitit 2023. Sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Seanca për deklaratat përmbyllëse është mbajtur në shkurt të vitit 2026, ndërsa procesi gjyqësor ka përfunduar fazën e dëshmive në dhjetor 2025.