Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për caktimin e datës së shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, më 16 shtator 2026, në orën 10:00.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe të papranueshëm, duke e konsideruar si, siç thuhet, “një poshtërim publik” ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas organizatës, shtyrjet e përsëritura të shpalljes së vendimit, të cilat justifikohen me kompleksitetin e çështjes dhe volumit të provave, sipas tyre tregojnë se procesi është i ndikuar politikisht.
OVL-UÇK pretendon se ky proces është i ndërlidhur me zhvillime politike ndërkombëtare dhe se, sipas tyre, synon të vendosë në diskutim luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ajo ka qenë një luftë e drejtë.
Në reagim gjithashtu thuhet se organizata nuk do ta pranojë këtë situatë, duke paralajmëruar zhvendosjen e aktivitetit të saj në rrugë përmes protestave, me mundësi përshkallëzimi nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Dhomat e Specializuara kanë caktuar 16 shtatorin 2026 si datën për shpalljen e aktgjykimit në këtë çështje gjyqësore.