Një grup të rinjsh afganë, të cilët tentuan të arrinin në Evropë në janar, i thanë BBC-së se ishin pjesë e një grupi prej 50 emigrantësh që u rrahën dhe u zhveshën nga rojet kufitare turke, përpara se të liheshin të ngrinin në borë.
Ata thanë se u detyruan të largoheshin nga qyteti lindor turk i Vanit drejt kufirit me Iranin, ku temperaturat ishin nën zero. Sipas tyre, të paktën 20 persona vdiqën nga ngrirja.
Njëmbëdhjetë nga 12 burrat dhe djemtë që folën për BBC-në – mes tyre edhe një 13-vjeçar humbën gjymtyrë si pasojë e ngrirjes.
Grupi, të gjithë të moshës 25 vjeç ose më të rinj, u kthye përfundimisht në Afganistan.
Njëri prej emigrantëve, Shahsawar, tha se u zgjua në një spital në Kabul dhe zbuloi se i ishin amputuar të dyja duart dhe këmbët.
“I ngrita duart – më dukeshin të lehta. Të dyja ishin prerë”, tha ai për BBC-në. “M’u shtrëngua fyti dhe nuk mund të flisja.”
Të pyetur për këto pretendime, autoritetet turke nuk iu përgjigjën drejtpërdrejt akuzave të emigrantëve.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Turqisë deklaroi se forcat kufitare veprojnë në përputhje me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe u ofrojnë emigrantëve të ndaluar ndihmën e nevojshme, përfshirë ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor.
Në mesin e janarit, rreth 50 emigrantë afganë pa dokumente u arrestuan pasi kontrabandistët i ndihmuan të kalonin kufirin iranian drejt qytetit të Vanit, ku temperaturat kishin rënë në -15 gradë Celsius.
Shahsawar, 21 vjeç, tha se u ndalua menjëherë sapo hyri në qytet. Sipas tij, rojet kufitare turke i rreshtuan emigrantët dhe i rrahën. “Na mbajtën disa net në një magazinë ku binte borë mbi ne. Na jepnin vetëm ujë dhe bukë të thatë një herë në ditë.”
“Na detyruan të bënim punë të rënda”, tha Alawaldin, 23 vjeç. “Duhej të transportonim dru dhe të pastronim borën.” Alawaldin tha se nuk mundi të kontaktonte as familjen dhe as kontrabandistin që i kishte premtuar se do ta çonte në Evropë.
Emigrantët që folën për BBC-në përshkruan një incident të dhunshëm më 25 janar, kur thanë se u rreshtuan sërish nga rojet kufitare dhe këtë herë u rrahën me shufra hekuri.
Sipas Alawaldinit, pasi u zhveshën dhe iu lidhën duart, ata u detyruan të zvarriteshin me bark drejt një kodre.
“Disa njerëzve u ishin çarë kokat dhe gjaku u rridhte mbi supe.” Sipas Shahsawarit, disa ishin rrahur aq rëndë sa nuk mund t’i përdornin më duart.
Pasi iu hoqën rrobat, këpucët dhe çorapet – duke mbetur vetëm me pantallona – afganët u ndanë në grupe prej tetë vetash dhe u shtynë përmes telave me gjemba drejt Iranit.
Ishte një natë me stuhi, reshje të dendura bore dhe pothuajse pa asnjë dukshmëri. “Shtigjet ishin të mbuluara nga bora. Nuk dinim në cilin drejtim të shkonim dhe nëse do të mbijetonim.”
Një djalë i grupit, Danial, humbi pothuajse menjëherë. Emigrantët thanë se më vonë mësuan se trupi i tij ishte gjetur në borë.
Shahsawar tha se, i rraskapitur dhe i uritur, u strehua pranë një shkëmbi të madh. Atij iu bashkuan Asim, 13 vjeç, dhe një emigrant tjetër, Ahmed, të cilit duart i ishin ngrirë.
“Në mëngjes, Asimi vazhdoi rrugën. Por ne ishim aq të ngrirë sa nuk mund të flisnim.”
“Ahmedi ishte shtrirë në krahët e mi. Pas pak kuptova se kishte ndaluar së marri frymë.”
Një video e publikuar në rrjetet sociale muajin pasues duket se tregon Asimin duke u gjetur në dorë nga emigrantë të tjerë që po kërkonin shokët e tyre. Ai ishte i lagur, me shenja ngrirjeje dhe i veshur lehtë.
Kur shpëtimtarët e pyetën nëse ishte vetëm, Asimi, shumë i ftohtë për të folur, tregoi me dorë drejt shkëmbit ku ishte strehuar Shahsawar.
Shahsawar tha se ky gjest i shpëtoi jetën. Më pas emigrantët kërkuan ndihmë në Iran, por thanë se nuk u pranua trajtimi i tyre në spital.
Më 29 janar, Ambasada e Afganistanit në Teheran njoftoi se kishte ndërmarrë hapa urgjentë për të identifikuar dhe ndihmuar një numër emigrantësh afganë të bllokuar në kufirin Iran-Turqi.
Katër ditë më vonë, ata u transportuan nga Gjysmëhëna e Kuqe në provincën Herat të Afganistanit dhe më pas në Kabul për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Në atë kohë, ngrirja kishte bërë që pjesë të trupit të Shahsawarit dhe dhjetë të tjerëve të nxiheshin.
Shahsawar pa se si duart dhe këmbët i errësoheshin, ndërsa i gjithë trupi filloi t’i kruhej.
Kur mbërriti në spitalin e Kabulit, babai dhe vëllai i tij nënshkruan dokumentet dhe ai iu nënshtrua operacionit, gjatë të cilit iu amputuan të dyja këmbët dhe të dyja duart./Reporteri.net/