Disa aleatë të NATO-s kanë njoftuar se do të porosisin raketa për sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën drejtpërdrejt nga prodhuesi në Shtetet e Bashkuara. Ky vendim vjen në një kohë kur Ukraina po përballet me mungesë municionesh për t’iu kundërvënë sulmeve të mëdha ruse, shkruan CNN.
Përveç mbështetjes së programit të NATO-s për koordinimin e donacioneve të pajisjeve të avancuara ushtarake amerikane, katër vende – Kanadaja, Danimarka, Gjermania dhe Norvegjia – kanë njoftuar se do të porosisin raketa shtesë direkt nga prodhuesi.
Norvegjia bëri të ditur se do të ndajë edhe 307 milionë dollarë shtesë (3 miliardë korona norvegjeze) për forcimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
“Duke pasur parasysh se afatet e dorëzimit për disa prej këtyre raketave janë të gjata, Norvegjia planifikon gjithashtu të sigurojë raketa Patriot nga vende që i kanë tashmë në përdorim, në mënyrë që ato t’i dhurohen Ukrainës sa më shpejt,” thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë.
“Ukraina po arrin të ndalojë shumicën e dronëve dhe raketave të lundrimit, por ka nevojë të forcojë mbrojtjen kundër raketave balistike. Kjo është një nga prioritetet më urgjente të Ukrainës. Për këtë arsye, Norvegjia po ndan tani 3 miliardë korona norvegjeze për mbrojtjen ajrore,” deklaroi kryeministri Jonas Gahr Støre.
Støre u takua së fundmi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Ankara.
/Reporteri.net/