Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me situatën politike dhe formimin e institucioneve të reja.
Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku ka thënë se takimi do të zhvillohet në formatin “1 me 1”, pra mes dy liderëve, ndërsa ka konfirmuar se përgjigjja e tij ndaj ftesës ka qenë pozitive.
“Unë sot kam marrë një ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1 me 1. Këtë herë do të takohemi dy me dy. Do t’i përgjigjem pozitivisht. Besoj se kohën e takimit do ta aranzhojnë ekipet tona”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka bërë të ditur se do të zhvillojë takime edhe me liderët e tjerë politikë, me qëllim të kuptimit të qëndrimeve të tyre për zhvillimet aktuale.
“Do të provoj të takohem edhe me të tjerët, për të kuptuar pozicionet e tyre”, ka thënë kreu i LDK-së.
Abdixhiku ka theksuar se ky është kontakti i parë zyrtar mes tij dhe Kurtit pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke mohuar se ka pasur komunikime të mëhershme mes palëve.
“Në këtë fazë dua ta bëj publike që ky është komunikimi i parë deri më tani. Nuk ka pasur komunikime të tjera, ky është takimi i parë zyrtar që prej përfundimit të zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.