Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka reaguar pas takimit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke akuzuar Kurtin se synon ta dobësojë LDK-në përmes procesit të negociatave.

Përmes një postimi në Facebook, Rrahmani tha se LDK-ja nuk duhet të vazhdojë diskutimet me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve.

“Në këtë periudhë, Albin Kurti ka vetëm një qëllim, shkatërrimin e LDK-së, duke e përçarë përmes këtyre negociatave. LDK-ja nuk duhet, në asnjë mënyrë, të vazhdojë diskutimet për bashkëqeverisje. Përndryshe, kjo do të ketë pasoja të rënda për ta. Mekanizmin ‘përçaj e sundo’ e ka aktivizuar. KUJDES!”, ka shkruar Rrahmani.

Reklamë

Reagimi i tij vjen pasi të premten Vetëvendosje dhe LDK-ja zhvilluan një takim mbi dyorësh në Kuvend, pas të cilit të dyja palët njoftuan se do të vazhdojnë bisedimet për formimin e institucioneve të reja.

Më herët gjatë ditës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se partia e tij do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar të përfshihet në negociata me Vetëvendosjen.