Reliket e Kupës së Botës dhe kostumet e Shakirës dalin në ankand për fondin bamirës të FIFA-s.
Shtëpia e ankandeve Christie’s dhe organizata Global Citizen kanë njoftuar organizimin e ankandit online që do të zhvillohet nga 22 deri më 29 korrik.
Të gjitha të ardhurat do t’i kalojnë FIFA Global Citizen Education Fund.
Synimi është që të mblidhen 100 milionë dollarë. Fondi do të financojë programe që synojnë rritjen e aksesit në arsim cilësor dhe futboll për fëmijët e komuniteteve në nevojë, në rreth 200 vende të botës.
Mes objekteve më të veçanta që do të dalin në ankand janë fanella me autograf e kombëtares amerikane të futbollit, kostumi i veshur nga Shakira në videoklipin e këngës “Dai Dai”, një top i firmosur nga Shakira, Kaka dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, si edhe fanella me autograf të Lionel Messi dhe Santiago Gimenez.