×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Marrëveshje midis BE dhe Ukrainës për prodhimin e dronëve

    Reporteri
    15 Korrik 2026 | 14:37

    Ukraina dhe Bashkimi Europian kanë nënshkruar një marrëveshje për dronët, që kombinon ekspertizën e Kievit në këto mjete ushtarake dhe kapacitetin industrial Europian.

    Marrëveshja u arrit gjatë Samitit Evropë Juglindore-Ukrainë, që u mbajt në Ditën e Shtetësisë së Ukrainës në kryeqytetin Kiev.

    Të pranishëm ishin delegacionet nga Kroacia, Serbia, Rumania, Moldavia, Sllovenia, Bullgaria, Shqipëria dhe Mali i Zi, të kryesuar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

    Shefja e krahut ekzekutiv të bllokut tha se projektet e përbashkëta do të rrisin prodhimin e dronëve.

    “Ne duhet të kombinojmë pikat tona të forta. Kjo marrëveshje do të bashkojë ekspertizën ukrainase dhe shkallën industriale të Evropës. Njohuritë që keni fituar se si të punoni me sistemet e dronëve dhe anti-dronëve janë vërtet unike. Duhet ta shfrytëzojmë këtë së bashku. Sepse i dimë kërcënimet me të cilat përballet Evropa në këtë fushë – kemi parë ndërhyrje dhe alarme në shumë shtete anëtare”, tha Von Der Leyen.

    Von der Leyen deklaroi se blloku 27 anëtarësh mund t’i ofrojë Ukrainës avantazhe të tilla si kapaciteti i madh teknologjik dhe industrial dhe vende prodhimi të sigurta dhe të mbrojtura.

    Ndërkohë presidenti Zelensky njoftoi planet ambicioze për prodhimin e miliona dronëve.

    “Kur njoftova planin për 1 milion dronë në vit kishte skepticizëm. Por tani më duhet ta them se po prodhojmë 10 milionë dronë në vit dhe bashkë me partnerët tanë do prodhojmë 20 milionë”, tha Zelensky.

    Ukraina ka zhvilluar një industri të sofistikuar të dronëve, pasi kishte ekspertizë të kufizuar në këtë sektor, kur Rusia nisi luftën në shkurt të vitit 2022.

    Ukraina ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh të tilla me disa vende. Në samitin e NATO-s në Akara, Presidenti ukrainas Zelensky nënshkroi marrëveshje të reja, duke thënë se kjo e çoi totalin në nëntë.

    Por marrëveshja e së mërkurës është e para që përfshin vendet dhe kompanitë në të gjithë Bashkimin Evropian.

    Zelensky ka udhëtuar në shumë shtete për të promovuar marrëveshjet e dronëve, veçanërisht në Lindjen e Mesme, ku vendet e Gjirit kanë dashur të shfrytëzojnë ekspertizën ukrainase për t’u mbrojtur nga sulmet iraniane.

    Në Kiev për bisedime është edhe Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan. Turqia ka shërbyer disa herë si vendi pritës për negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës.

    Ministri turk pritet të theksojë në Kiev se lufta Rusi-Ukrainë nuk duhet të përhapet në Detin e Zi, duke theksuar nevojën për të ulur tensionet dhe për të siguruar lirinë dhe sigurinë e lundrimit.

    Në këtë kontekst, Fidan pritet të deklarojë se sulmet ndaj porteve, anijeve tregtare dhe anijeve të peshkimit janë të papranueshme në asnjë rrethanë, ndërsa riafirmon angazhimin e Turqisë për të ruajtur Detin e Zi si një rajon paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi përmes nismave diplomatike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!