Të paktën 60 turistë, mes tyre fëmijë dhe të rritur, morën ndihmë mjekësore të dielën pasi u helmuan në pishinën e një hoteli në Benahavís, në zonën Malaga, ku ishin të akomoduar.
Mediat spanjolle raportojnë se sistemi i pishinës pësoi një defekt, dhe se sistemi i klorit dhe i rregullimit të nivelit të pH-së ndaloi së funksionuari, ndërsa vazhduan të çliroheshin gazra të tjerë, të cilët shkaktuan helmimin e disa prej mysafirëve.
Personat e prekur morën trajtim në qendra të ndryshme shëndetësore nga ekipet e urgjencës, ndërsa disa u trajtuan edhe në vetë hotelin. Asnjëri prej tyre nuk ndodhet i shtruar në spital.
Shërbimi i urgjencës ka konfirmuar se ka trajtuar dy të rritur dhe dy të mitur.
Ndërkohë, në Spitalin Costa del Sol në Marbella u ofrua ndihmë mjekësore për rreth 60 persona, të cilët janë larguar të gjithë nga spitali pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, bëri të ditur një zëdhënës i institucionit shëndetësor.