Çmimi i naftës në Kosovë ka mbërritur në vlerën më të lartë që prej fillimit të majit.

Sot, 22 korrik, një litër naftë sipas vendimit të Ministrisë së Industrisë e Tregtisë, do të kushtojë maksimalisht 1.67 euro, një cent më shtrenjtë se dje. Një litër benzinë kushton 1.48 euro, po ashtu një cent më shtrenjtë e gasi 60 centë – njëjtë sikur dje.

Deri tash, që prej 5 majit, një litër nuk ka kushtuar më shtrenjtë. Atë kohë, një litër naftë kushtonte 1.67 euro. Një litër benzinë atë ditë kushtonte 1.52 euro, ndërsa gasi 81 centë.

Reklamë

Prej asaj kohe e deri javën e shkuar, ishte në fuqi një armëpushim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e arritën me Iranin. Armëpushimi bëri që nafta në bursë të kishte çmim më të ulët.

Por ditë më parë u rikthyen sulmet dhe u rimbyll Ngushtica e Hormuzit, që shërben si rrugë për 20 për qind të naftës në nivel bote. Çmimi i naftës nisi të ngrihej menjëherë.