Gjykata Themelore në Gjilan, dega Viti ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit që sulmoi fizikisht gjyqtaren Qëndresa Sejdiu, pasditen e 4 nëntorit në Viti.

Personi i ndaluar H.Y., është dërguar në paraburgim, në kohëzgjatje prej një muaji, për kryerjen e veprës penale sulmi ndaj personit zyrtar.

Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Gjilan, rasti ka ndodhur në fshatin Sadovinë e Jerlive të Komunës së Vitisë, gjatë realizmit të ekzaminimit të terrenit në kuadër të një lënde civile.

Reklamë

“…veprim procedural që ndërmerrej nga gjyqtarja e rastit, me qëllim të shqyrtimit dhe konstatimit të rrethanave faktike relevante për çështjen civile, i pandehuri H. Y. i pranishëm në vendin e ngjarjes, me dashje, vetëdije dhe në mënyrë agresive, ndërhyn në zhvillimin e veprimit zyrtar të gjykatës, duke ndërmarr veprime të drejtpërdrejta kundër gjyqtares dhe duke cenuar integritetin e saj fizik, si dhe autoritetin dhe ushtrimin e pavarur të funksionit gjyqësor.”

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.