Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë kanë vizituar këtë të mërkurë komunën e Zveçanit, ku janë takuar me kryetarët e katër komunave veriore për të diskutuar funksionimin e qeverisjes lokale, tetë muaj pas marrjes së mandatit pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025.

Sipas njoftimit të BE-së, kryetarët e komunave kanë paraqitur një sërë sfidash që po ndikojnë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Mes tyre janë përmendur mungesa e arkivave, mungesa e stafit të kualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet pronësore, si dhe kontrolli nga niveli qendror mbi aktivitetet komunale.

Përveç takimit me kryetarët e komunave, shefat e misioneve zhvilluan edhe takime të ndara me përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të kuvendeve komunale nga partitë opozitare.

Reklamë

Në deklaratë, Bashkimi Evropian rithekson përkushtimin për forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe procesit të decentralizimit në Kosovë, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

BE-ja u bëri thirrje institucioneve që të përmirësojnë koordinimin ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, të ofrojnë mbështetje më efektive për komunat përmes ministrive përkatëse dhe të sigurojnë zbatim të barabartë të sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas BE-së, administratat komunale efektive, llogaridhënëse dhe plotësisht funksionale, që ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë qytetarët, përfshirë ata në veri të vendit, janë thelbësore për ndërtimin e besimit, stabilitetit dhe prosperitetit.

Në fund të deklaratës, Bashkimi Evropian thekson se do të vazhdojë të mbështesë komunat dhe reformat që forcojnë vetëqeverisjen lokale në mbarë Kosovën, duke rikujtuar se mbetet partneri më i madh dhe donatori kryesor i asistencës financiare për Kosovën.

Reklamë