Prokuroria Themelore në Pejë ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pas rastit tragjik në bjeshkët e Komunës së Deçanit, ku një person humbi jetën nga arma e zjarrit.

Sipas dyshimeve fillestare, viktima dyshohet se është babai i të arrestuarit, ndërsa rasti dyshohet se ka ndodhur si pasojë e shkrepjes së armës nga pakujdesia.

Pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit dhe njësitë përkatëse policore, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore.

Reklamë

Nga sigurimi i provave materiale dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë, është krijuar dyshimi se viktima ka humbur jetën si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit nga pakujdesia.

I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria ka bërë të ditur se arma e dyshuar është sekuestruar, ndërsa ekspertët e balistikës janë angazhuar për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Hetimet po vazhdojnë në koordinim mes Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.