Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të enjten në rrugën “Liman Shala” në Prizren.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, rasti është raportuar rreth orës 17:00, ndërsa Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Reklamë

“Pas një fjalosjeje ndërmjet një personi të dyshuar në njërën anë dhe tre personave të tjerë në anën tjetër, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të palës tjetër. Si pasojë e të shtënave, një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai ka bërë të ditur se personi i plagosur është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bytyqi ka shtuar se të gjithë personat e përfshirë në incident janë identifikuar, ndërsa përveç të lënduarit, personat e tjerë janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori i shtetit, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë mbledhur prova dhe dëshmi materiale.

Policia, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e incidentit.

Reklamë