Në një konferencë për shtyp, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin tetor ose në fillim të nëntorit. Vuçiq bëri të ditur se zgjedhjet presidenciale do të mbahen të ndara nga ato parlamentare.
“Vitin e kaluar ju thashë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin deri në fund të vitit dhe po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb për t’u dhënë qytetarëve mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë. Pra, para fundit të vitit, me siguri do të kemi zgjedhje parlamentare dhe pak më vonë do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale,” deklaroi Vuçiq.
Paralajmërimi i Vuçiqit vjen në një kohë kur pushteti i tij përballet me presion të vazhdueshëm popullor. Më parë ai kishte lënë të kuptohej edhe mundësia e dorëheqjes nga posti i Presidentit për të kandiduar si Kryeministër, me qëllim që të sigurojë një mandat të ri qeverisës për bllokun e tij politik.
Valët e protestave në Serbi shpërthyen pas tragjedisë në Novi Sad, ku nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor humbën jetën 16 persona. Kjo ngjarje nxiti pakënaqësi të mëdha, me akuza të drejtpërdrejta për korrupsion, neglizhencë dhe mungesë llogaridhënieje nga ana e pushtetit. Që nga ajo kohë, studentët, lëvizjet qytetare dhe opozita kanë organizuar protesta të njëpasnjëshme duke kërkuar përgjegjësi politike dhe zgjedhje të parakohshme.