Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka deklaruar se pret që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë të përfundojë me forcimin e LDK-së, duke theksuar se vendimi për të ardhmen e kryetarit aktual do të merret nga delegatët përmes votimit.
Beqiri tha se mbajtja e këtij Kuvendi është në përputhje me statutin e partisë dhe se ai është thirrur për shkak të pakënaqësive me gjendjen aktuale në LDK.
“Mendoj se ky Kuvend do të shkojë mirë. Statuti i LDK-së parasheh format se si thirret një kuvend dhe kjo është njëra nga ato forma, me një të tretën e votave. Ne presim që nga ky Kuvend LDK-ja të dalë më e fortë. Kuvendi është thirrur për shkak të mospajtimit me gjendjen në të cilën ndodhemi”, tha Beqiri.
Ai u shpreh se rezultatet e fundit zgjedhore nuk kanë qenë të kënaqshme për LDK-në, duke theksuar se partia duhet të synojë rezultate më të mira.
“Për LDK-në, vendi i dytë dhe i tretë është fyerje dhe ne do të bëjmë çmos që këtë gjendje ta ndryshojmë”, deklaroi Beqiri.
I pyetur nëse kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të shkarkohet nga pozita, Beqiri tha se vendimi i takon delegatëve të Kuvendit.
“Nuk e di. Vota do ta vendosë. Unë e kam thënë publikisht mendimin tim. Jam i bindur se LDK-ja ka nevojë për ndryshime, në mënyrë që të ecim përpara dhe të kemi rezultate më të mira”, u shpreh ai.
Beqiri theksoi se fokusi i Kuvendit nuk duhet të jetë emri i pasuesit të mundshëm të kryetarit, por ndryshimet që i duhen partisë për të ardhmen.