Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në një konferencë për media ka publikuar listën e detajuar të mostrave me mospërputhje të evidentuara gjatë kontrolleve zyrtare në sektorin e qumështit.
Kategoria me nivelin më të lartë të mospërputhjes ishte vaji i palmës. Vaji i palmës është përmendur në 46 raste të mospërputhjes, pasuar nga prania e vajrave bimorë, niseshtes e qumështit pluhur.
Analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit kanë rezultuar se gati çdo i pesti produkt i qumështit në Kosovë përmban përbërës të padeklaruar në etiketë.
Sipas tabelës së prezantuar në konferencë për media, në mesin e produkteve ku është konstatuar prania e vajit të palmës figuron edhe qumështorja “Vita”.
Këtë e tha edhe ministri Muja i pyetur nga gazetarët.
“Është konstatuar përtej dyshimit të bazuar se në qumështoren Vita është përdorur në disa mostra të testuara vaj palme dhe në disa raste edhe qumësht pluhur”, tha Muja.
Sektori i qumështit në Kosovë është përballur javët e fundit me vëmendje të shtuar pas dyshimeve lidhur me cilësinë dhe deklarimin e disa produkteve të qumështit në treg.
Në qendër të debatit ka qenë kompania Vita, pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zhvilluar kontrolle zyrtare dhe analiza laboratorike për të verifikuar përputhshmërinë e produkteve me legjislacionin në fuqi.
Rasti ka nxitur reagime të shumta./Reporteri.net/
