×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Krijimi i institucioneve

    Në kërkim të marrëveshjes, Kurti dhe Abdixhiku vazhdojnë diskutimet prej dy orësh në Kuvend

    Reporteri
    04 Gusht 2026 | 20:19

    Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje politike kanë hyrë në orën e dytë, ndërsa takimi mes përfaqësuesve të dy subjekteve po vazhdon me dyer të mbyllura në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

    Në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ai po merr pjesë bashkë me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Në anën tjetër, delegacioni i LDK-së udhëhiqet nga kryetari Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga nënkryetari Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani.

    Deri më tani nuk janë bërë publike detaje nga diskutimet, ndërsa pritet që pas përfundimit të takimit përfaqësuesit e të dyja partive të dalin para mediave dhe të sqarojnë nëse ka pasur ndonjë afrim të qëndrimeve për një bashkëpunim të mundshëm qeverisës.

    Para hyrjes në takim, Kurti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetje të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, por theksoi se për zgjedhjen e Presidentit kërkohet bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës.

    “Ne kemi mjaftueshëm mbështetje sa i përket Kuvendit dhe qeverisë, por që të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e Presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita, sepse kushtetutshmëria është e tillë që Presidentin e sheh si shprehje të unitetit dhe ku opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”, tha Kurti.

    Ndërkaq, Abdixhiku nuk ka dhënë deklaratë para mediave, duke bërë të ditur se qëndrimin e tij do ta shprehë pas përfundimit të takimit.

    Takimi mes LVV-së dhe LDK-së zhvillohet në një moment kur partitë politike po përpiqen të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit institucional dhe për konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!