Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi i dytë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka qenë konstruktiv, por se ende nuk ka një marrëveshje mes dy palëve.
Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku tha se LDK-ja po merr pjesë në këto bisedime me qëllim që t’i shmangë zgjedhjet e reja dhe të kontribuojë në stabilitetin institucional të vendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net..
“Ky është takimi i dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Me vullnet të mirë, me respektim të plotë të rezultatit zgjedhor dhe me gatishmërinë tonë si LDK që me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja. Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe për punë më tepër sesa për dramë politike”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar çështje programore, politike dhe strategjike, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve në ditët në vijim.
“Ishte një takim i mirë, i mbarë, në të cilin u trajtuan çështje të ndryshme programore, politike, të ardhme dhe strategjike. Do të përpiqemi edhe në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore dhe më të detajuara”, u shpreh ai.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja mbetet në qëndrimet e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe për ruajtjen e balancës demokratike në institucione.
“Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që ruan stabilitetin institucional dhe garanton balancën demokratike brenda institucioneve të Republikës. LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar”, deklaroi ai.
Abdixhiku tha se në takim nuk është diskutuar për emra konkretë.
“Nuk kemi folur për emra konkretë. Ende jemi në diskutime të parimeve”, theksoi ai.
Kreu i LDK-së shtoi se nëse deri më 6 gusht nuk arrihet një marrëveshje politike, partia e tij kërkon që të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit.
“Nëse deri më 6 gusht nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar të vazhdohet procesi me konstituimin e Kuvendit, sepse nuk ka nevojë të pritet. LDK-ja nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit”, tha Abdixhiku.
I pyetur nëse LDK-ja i ka votat për një marrëveshje eventuale, Abdixhiku u përgjigj se gjithçka varet nga përmbajtja e saj.
“Për marrëveshje të mirë, LDK-ja i ka të gjitha votat. Për marrëveshje jo të mirë nuk e ka as votën time si kryetar i saj. Fillimisht duhet të ndërtohet marrëveshja, më pas të prezantohet dhe vetëm pastaj të flasim për numra”, deklaroi Abdixhiku./Reporteri.net/