×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus

    Kurti: Nuk kemi diskutuar emra për Presidentin, duhet një figurë që i ngrohë zemrat e të gjithë qytetarëve

    Reporteri
    04 Gusht 2026 | 21:50

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se për pozitën e Presidentit nuk është diskutuar për emra konkretë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke theksuar se kandidati duhet të jetë një figurë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse.

    Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se LVV-ja e sheh Presidentin si përfaqësues të unitetit të qytetarëve dhe jo si pjesë të garës politike.

    “Lëvizja Vetëvendosje konsideron që presidenti ose presidentja e Republikës, si shprehje e unitetit të popullit, si një figurë e cila duhet të ngrohë zemrat e gjithë qytetarëve të Republikës, në kuptimin e vlerave dhe meritave profesionale, shoqërore e kombëtare, pra një personalitet i cili do të kishte shumë karakter të mirëpritur nga popullsia”, tha Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai theksoi se Presidenti nuk duhet të shihet si një tjetër qendër politike e pushtetit, por si përfaqësues i Republikës.

    “Republika demokratike i ka tri shtylla: ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Presidenti do të duhej të ishte jashtë partive politike dhe njëkohësisht të mos ishte i përfshirë në polemikat ditore”, u shpreh Kurti.

    Kurti tha se LVV-ja është e gatshme të bashkëpunojë me LDK-në, duke theksuar se vendit i nevojitet progres i përshpejtuar.

    “Ne jemi të interesuar e të gatshëm që të bashkëpunojmë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar”, deklaroi ai.

    Megjithatë, ai tha se nuk mund të propozojë një emër konkret për President, pasi sipas tij kandidati duhet të ketë mbështetje të gjerë.

    “Unë nuk mund të sjell emër konkret, sepse emri konkret do të duhej të ishte konsensual, pra të ishte gjithëpërfshirës, të mos ishte i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurti.

    Ai përmendi edhe rastet e mëparshme kur LVV-ja kishte propozuar emra për këtë pozitë.

    “Ju e dini që herën e kaluar ne kemi sjellur emër konkret, por ka qenë Lauko Njufca dhe Fatmire Kolçaku. Kur u tërhoqën këta dy, kemi kërkuar emra konkretë dhe pasi që s’na u dhanë, e sollëm edhe një emër konkret, i cili ishte doktoresha Feride Rushiti, por nuk u pranua pikërisht pse e sollëm ne”, deklaroi Kurti.

    Sipas tij, propozimi i një emri vetëm nga një subjekt politik mund ta vështirësojë pranimin e tij nga partitë e tjera.

    “Ne jemi të interesuar që ta kemi dikë gjithëpërfshirës, sepse nuk duam të sjellim emra që nuk zgjidhen, por dëshirojmë të kemi emra të cilët e kanë mirëkuptimin e përgjithshëm dhe atë mbështetjen e domosdoshme në Kuvendin e Republikës”, tha Kurti.

    Ai shtoi se gjatë takimit me LDK-në nuk është diskutuar për emra të Presidentit, por për rrugën e bashkëpunimit mes dy subjekteve.

    “Nuk kemi folur për emrat e Presidentit apo Presidentes, kemi folur për rrugën përpara në bashkëpunimin e Lëvizjes Vetëvendosje me LDK-në”, përfundoi Kurti.Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!