Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, para takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar që sot të konstituohet Kuvendi i Kosovës, duke theksuar se nuk ka arsye për vonesa në këtë proces.
Abdixhiku tha se LDK-ja nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon shtyrje të konstituimit të Kuvendit, ndërsa bëri thirrje që të vazhdohet me procedurat për zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit.
“Do të vazhdojmë me punët tona që duhet të bëjmë që të konstituohet Kuvendi. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit. Po më lejoni të shkoj në takim, e pas takimit do të deklarohem. Duhet të ketë seancë konstituive. Duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit. LDK-ja as ka kërkuar, as kërkon që të bëhet ose të ketë vonesa të tilla”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit bie edhe mbi partinë e parë, duke lënë të kuptohet se çdo vonesë eventuale nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime negociuese.
“Por tani, kjo është përgjegjësi edhe e partisë së parë, e cila qëllon që ka më të vjetrin në seancë aty, të ulur në karrigen e kryesuesit të Kuvendit. Por në qoftë se është bërë për taktikë negociuese, le ta themi shumë qartë: LDK-ja nuk nënshtrohet e Republika nuk dorëzohet. Prandaj, as nuk nënshtrohemi, as nuk dorëzohemi”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se pas takimit do të deklarohet para mediave në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se do të përfaqësojë interesat e Kosovës, qytetarëve dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.