×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Reagimi

    PDK kundër vazhdimit të seancës pas afatit: Askush nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën

    Reporteri
    07 Gusht 2026 | 18:30

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se kanë shkelur rendin kushtetues, pas vendimit për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit pas skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Në një reagim të publikuar të premten pas caktimit të vazhdimit të seancës, PDK ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, afat i cili, sipas kësaj partie, përfundon sonte.

    “Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon sonte”, thuhet në reagimin e PDK-së.

    Sipas kësaj partie, në vend që të respektohej ky afat, shumica parlamentare ka zgjedhur që vazhdimin e seancës ta caktojë për ditën e nesërme.

    “Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, ka deklaruar PDK.

    PDK-ja ka kundërshtuar këtë veprim, duke e cilësuar si shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe si precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.

    “Askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe aq më pak ata që kanë detyrimin e parë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë”, thuhet në reagim.

    PDK ka drejtuar kritika ndaj Albin Kurtit, duke pretenduar se ai ka vendosur interesin partiak mbi atë shtetëror.

    “Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror”, ka thënë PDK.

    Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit po e mban peng krijimin e institucioneve të reja dhe po krijon pasiguri kushtetuese.

    “Një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike”, thuhet në reagim.

    PDK ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprime për mbrojtjen e, siç e ka quajtur, rendit kushtetues.

    “Ashtu si në çdo rast kur është cenuar rendi kushtetues, edhe kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!