Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pas mbledhjes së Grupit Parlamentar se partia e tij nuk do të pranojë një rol “dekorativ” në Qeverinë e ardhshme, duke kritikuar ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për përfshirjen e LDK-së në ekzekutiv.
Abdixhiku tha se Kosova po kalon nëpër një periudhë të rëndë të pasigurisë politike dhe institucionale, ndërsa zvarritjen e konstituimit të Kuvendit e konsideroi shqetësuese, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Republika jonë po kalon nëpër një prej periudhave më të rënda të pasigurisë politike dhe institucionale”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, tejkalimi i afateve kushtetuese nuk përbën më vetëm mosmarrëveshje mes partive politike, por krijon “një paqartësi të rëndë kushtetuese”.
Abdixhiku tha se LDK-ja ka marrë pjesë në të gjitha proceset e dialogut ndërpartiak me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Kemi qenë partia e vetme që jemi përgjigjur çdo ftese për bisedime, jo për shkak të nevojës për pushtet, por për shkak të përgjegjësisë ndaj vendit”, deklaroi ai.
Duke folur për negociatat me Vetëvendosjen, Abdixhiku tha se LDK-ja ia ka njohur partisë së parë të drejtën për të udhëhequr Qeverinë dhe Kuvendin, në përputhje me rezultatin zgjedhor.
“Lëvizjes Vetëvendosje ia kemi njohur të drejtën për ta udhëhequr Qeverinë dhe Kuvendin, në përputhje me rezultatin zgjedhor dhe me rendin kushtetues. Ua kemi njohur të drejtën që të kenë edhe kryeministrin, edhe kryetarin e Kuvendit”, tha ai.
Në këmbim, sipas Abdixhikut, LDK-ja kishte propozuar që të merrte përgjegjësinë për institucionin e presidentit, së bashku me një rol në ekzekutiv.
Megjithatë, ai tha se oferta e Vetëvendosjes ishte e pamjaftueshme.
“Përgjigjja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishte ofertë partneriteti. Ishte ofertë për pjesëmarrje pa peshë, për përgjegjësi pa ndikim dhe për prani dekorative të LDK-së në një qeverisje që do të kontrollohej tërësisht nga njëra palë”, deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, LDK-së i ishin ofruar vetëm tri ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit.
“Për një grup parlamentar prej 18 deputetësh, kjo përgjigje ishte disproporcionale me rezultatin zgjedhor dhe me vullnetin e popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se një marrëveshje e tillë do ta linte LDK-në “një forcë të margjinalizuar dhe të nënshtruar”, pa mundësi për të ushtruar përgjegjësi të mjaftueshme në qeverisje.
“Prandaj, s’mund ta pranonim një ofertë të tillë. E refuzuam një propozim të tillë të tri ministrive dhe zëvendëskryeministrit”, tha kryetari i LDK-së.
Abdixhiku theksoi se pjesëmarrja në negociata nuk nënkupton heqje dorë nga parimet e partisë.
“Negociatat për ndërtimin e institucioneve, me bindjet politike dhe me parimet që nuk lëkunden, nuk shiten e nuk lehtësohen, nuk janë nënshtrim. Nënshtrim është dorëzim prej parimeve tua”, deklaroi ai.