Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë të ditur se bashkë me Sekretaren e Përgjithshme të kësaj partie, Vlora Çitaku, ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) një zyrtar policor, për të cilin pretendon se e ka “cënuar fizikisht” gjatë përplasjeve të së mërkurës në sallën e Kuvendit.
Musliu tha se për rastin kanë kërkuar edhe hetim, duke theksuar se reagimi i saj lidhet me ruajtjen e integritetit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës.
“Duke qenë se si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, për 15 vite rresht kam punuar fort për të pasur një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet, nuk mund të hesht përballë një rasti të tillë”, tha Musliu.
Ajo theksoi se qëllimi, sipas saj, nuk është vetëm mbrojtja personale, por edhe mbrojtja e institucionit të Policisë së Kosovës nga ndikimet politike.
“Ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur veten time, por, para së gjithash, për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike”, deklaroi ajo.
Megjithatë, Musliu tha se përveç veprimeve të policit, kanë kërkuar të hetohet edhe mënyra se si Policia është futur në sallën e seancave plenare.
“Si deputete dhe si qytetare e Republikës së Kosovës, kërkuam të dimë edhe diçka tjetër: Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare?”, tha ajo.
Sipas Musliut, kjo çështje duhet të bëhet e qartë për Kuvendin dhe opinionin publik.
“Në një seancë konstituive, ku Kuvendi ende nuk është konstituuar, duhet të jetë e qartë se kush ka autorizuar praninë dhe ndërhyrjen e Policisë brenda sallës”, u shpreh deputetja e PDK-së.
Ajo pretendon se, sipas rregullave të procedurës së seancës konstituive, autoriteti që mund ta ftojë Policinë në sallë, nëse paraqitet nevoja, është mandatar-i për udhëheqjen e seancës, në këtë rast Avni Dehari.
“Duhet të sqarohet publikisht. Kush e ka dhënë urdhrin? Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit? Këto nuk janë pyetje personale. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale”, tha Musliu.
Deputetja e PDK-së tha se në rastet kur Policia hyn në sallën e Kuvendit dhe një deputet pretendon se është cenuar fizikisht, hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te zyrtari që ka kryer veprimin.
“Duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë aty”, deklaroi ajo.
Në fund, Musliu u bëri thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe shërbyesve civilë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
“Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë”, tha Musliu, duke kërkuar që zyrtarët shtetërorë të mos i nënshtrohen, siç u shpreh ajo, “asnjë diktati, presioni apo urdhri politik që cenon pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të shtetit”.