Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka zhvilluar disa operacione në zonën e Zubin Potokut, me qëllim të zbulimit dhe sekuestrimit të armëve ilegale.

Operacionet janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, ndërsa sipas Policisë, kontrollet janë kryer në gjithsej 48 lokacione.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se operacionet janë ndërmarrë pas informacioneve të pranuara në rrugë operative dhe nga qytetarë, lidhur me dyshimet për posedim të armëve ilegale.

Reklamë

“Pas pranimit dhe verifikimit të këtyre informacioneve, janë realizuar kontrolle në gjithsej 48 lokacione ku janë gjetur sasi të konsiderueshme të armëve, municioneve, si dhe mjete të tjera të dyshuara të kundërligjshme”, tha Hoxha.

Sipas tij, gjatë operacioneve janë gjetur gjithsej 72 armë, prej tyre dy mitralozë, 11 armë të gjata të tipit AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore.

Policia ka sekuestruar edhe mjete shpërthyese. Hoxha bëri të ditur se janë gjetur shtatë granata dore dhe dy detonatorë elektrikë të përdorur, si dhe pjesë të tjera që dyshohet se lidhen me mjete shpërthyese.

Në mesin e sendeve të sekuestruara janë edhe 4,831 copë municione të kalibrave të ndryshëm.

“Po ashtu janë gjetur edhe pjesë të armëve shumë të ndryshme, kondakë, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi, si dhe krerë fishekësh apo magazina”, deklaroi Hoxha.

Reklamë

Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe pajisje të ndryshme ushtarake, përfshirë thika ushtarake, gazmaska, 10 palë dylbi, radiolidhje, mbushës për radio, pajisje ushtarake, arka druri për municione dhe mjete të tjera luftarake.

Sipas Hoxhës, janë sekuestruar edhe uniforma, çanta e këmisha ushtarake, përfshirë uniforma që lidhen me ushtrinë dhe policinë e Serbisë.

“Po ashtu janë gjetur në numër të madh uniformash, çanta ushtarake, këmisha ushtarake, të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë, dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me qëllimin ushtarak”, tha ai.

Në lokacionet e kontrolluara janë gjetur edhe dokumente të ndryshme, përfshirë libreza të armëve të ish-Jugosllavisë, karta të veteranëve të luftës, dokumente të armëve, numra serikë, ditarë të rojeve të pyllit, dorëshkrime, si dhe leje të armëve, disa prej të cilave të skaduara.

Reklamë

Gjatë operacioneve janë sekuestruar edhe mjete monetare në vlerë prej 96,100 eurosh dhe 5,000 frangash.

Hoxha tha se pas paraqitjes së të dhënave për operacionet kundër armëve ilegale, Policia do të vazhdojë me informimin lidhur me hetimet për rastin e varrezës masive në Zubin Potok./Reporteri.net/