Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të armëve, municionit, mjeteve shpërthyese dhe pajisjeve ushtarake gjatë operacioneve të zhvilluara në 48 lokacione në zonën e Zubin Potokut.
Operacionet janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Sipas drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjatë kontrolleve janë konfiskuar gjithsej 72 armë.
Në mesin e tyre janë:
2 mitralozë
11 armë të gjata AK-47
22 armë të gjata të llojeve të ndryshme
27 pushkë gjuetie
9 armë të shkurtra – pistoleta
1 pushkë ajrore
Përveç armëve, Policia ka sekuestruar edhe 7 mjete shpërthyese, përfshirë 7 granata dore, si dhe 2 detonatorë elektrikë të përdorur.
Në mesin e materialeve të gjetura janë edhe pjesë plastike të paketimit të granatave, mjete piroteknike dhe pjesë metalike të mjeteve shpërthyese.
Një sasi e madhe e municionit është gjetur gjatë kontrolleve. Bëhet fjalë për 4,831 copë municione të kalibrave të ndryshëm.
Po ashtu, janë konfiskuar edhe pjesë të ndryshme të armëve, përfshirë kondakë, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi, krerë fishekësh dhe magazina.
Në lokacione janë gjetur edhe pajisje të ndryshme ushtarake, si:
thika ushtarake;
gazmaska;
10 palë dylbi;
radiolidhje;
mbushës për radio;
sëpata ushtarake;
arka druri për municione;
pajisje dhe mjete të tjera luftarake.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një numër të madh të uniformave, çantave dhe këmishave ushtarake, përfshirë veshje që lidhen me ushtrinë dhe policinë e Serbisë.
Gjatë operacionit janë gjetur edhe dokumente të ndryshme që mund të shërbejnë për hetime, përfshirë libreza të armëve të ish-Jugosllavisë, kartela të veteranëve të luftës, dokumente të armëve, numra serikë, ditarë të rojeve të pyllit dhe dorëshkrime të tjera.
Janë sekuestruar edhe leje për armë të shkurtra, leje për armë të gjata dhe leje të tjera, disa prej të cilave të skaduara.
Përveç armatimit dhe pajisjeve, gjatë kontrolleve janë gjetur edhe 96,100 euro dhe 5,000 franga.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se këto janë të dhënat e operacioneve të zhvilluara kundër posedimit të armëve ilegale në zonën e Zubin Potokut.
Pas paraqitjes së këtyre të dhënave, Policia pritet të japë informacione edhe për hetimet që lidhen me rastin e varrezës masive të zbuluar në këtë zonë.