Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas vdekjes së punëtorit Arbenit Ahmeti, duke ngritur shqetësimin për sigurinë në vendin e punës.
Sipas sindikatës, vetëm gjatë vitit 2026, katër punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës.
Bëhet fjalë për punëtorët Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.
Sindikata ka kritikuar institucionet dhe menaxhmentin e KEK-ut për reagimin e tyre vetëm pas rasteve tragjike.
“Pas secilit rast tragjik dëgjojmë reagime nga menaxhmenti, Bordi, ministria dhe institucionet e tjera. Shprehen ngushëllime, premtohen masa, kërkohen sqarime dhe për disa ditë flitet për sigurinë në punë”, thuhet në reagim.
Sindikata pyet se pse institucionet nuk ndërmarrin masa para se të ndodhin aksidentet.
“Pse këto institucione reagojnë vetëm pasi ndodh tragjedia?”, thuhet më tej.
Sipas Sindikatës së Re të KEK-ut, problemi kryesor është mungesa e masave parandaluese dhe e një sistemi që identifikon dhe eliminon rreziqet para se ato të shkaktojnë pasoja.
“Presim të ndodhë aksidenti, pastaj reagojmë, bëjmë deklarata dhe pas një kohe gjithçka harrohet – deri në tragjedinë e radhës”, thuhet në reagim.
Sindikata e sheh çështjen e sigurisë jo vetëm si problem teknik, por edhe si çështje të menaxhimit dhe kulturës së punës në KEK.
“Një menaxhim që bazohet më shumë në presion, frikë dhe masa ndëshkuese sesa në komunikim, motivim dhe respekt ndaj punëtorit, mund të quhet lirshëm menaxhim represiv dhe jo motivues”, thuhet në reagim.
Sindikata thekson se punëtorët duhet të kenë mundësi të raportojnë rreziqet pa frikë nga pasojat.
“Punëtori që punon në kushte të rrezikshme duhet të ketë siguri se mund të thotë: ‘Kjo punë është e pasigurt’, pa u frikësuar nga pasojat”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, siguria duhet të garantohet para se të ndodhë aksidenti dhe jo të trajtohet vetëm pas një tragjedie.
“Siguria nuk fillon pas aksidentit. Siguria fillon para tij”, thekson sindikata.
Ajo u ka bërë thirrje menaxhmentit të KEK-ut, Bordit, ministrisë dhe institucioneve përgjegjëse që të kalojnë nga reagimet pas aksidenteve në masa konkrete parandaluese.
“Katër jetë të humbura vetëm brenda një viti duhet të jenë alarm serioz për të gjithë”, thuhet në reagim.
Në fund, sindikata ka kërkuar që vdekja e katër punëtorëve të mos mbetet vetëm në kuadër të deklaratave të ngushëllimit, por të shërbejë si shtysë për ndryshime konkrete në menaxhimin e sigurisë në punë.
“Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, përfundon reagimi i Sindikatës së Re të KEK-ut.