Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas vdekjes së një punëtori në KEK, duke shprehur ngushëllime për familjen e tij dhe për familjet e tjera të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.

Hoti ka kritikuar reagimet politike lidhur me këto raste, duke thënë se tragjeditë nuk duhet të shfrytëzohen si mjet për sulme politike apo akuza ndaj institucioneve, pa u verifikuar paraprakisht faktet dhe kompetencat ligjore.

“E konsideroj të ulët që një fatkeqësi dhe humbja e jetës së një të riu të shfrytëzohen për të bërë politikë, aq më tepër duke drejtuar akuza ndaj institucioneve pa u verifikuar paraprakisht faktet, shkaqet e aksidentit dhe kompetencat ligjore”, ka shkruar Hoti.

Reklamë

Ai ka thënë se është veçanërisht për keqardhje kur akuza të tilla vijnë nga deputetë të Kuvendit, të cilët, sipas tij, duhet të kenë njohuri për legjislacionin dhe ndarjen e kompetencave mes institucioneve.

“Para se të akuzohet publikisht një institucion për dështim, minimumi është të verifikohet nëse ai institucion e ka fare kompetencën ligjore për çështjen për të cilën po akuzohet”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, aksidentet në vendin e punës mund të kenë faktorë të ndryshëm dhe përgjegjësia duhet të përcaktohet pas hetimeve profesionale dhe konstatimit të fakteve.

Hoti ka sqaruar se aksidentet fatale të 8 korrikut, 16 dhe 20 gushtit 2026 kanë ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, në kuadër të veprimtarisë minerare.

Ai pretendon se, sipas legjislacionit në fuqi, mbikëqyrja e sigurisë në punë dhe hetimi i aksidenteve në veprimtarinë minerare janë kompetencë e Inspektoratit të Minierave, në kuadër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), dhe jo e Inspektoratit Qendror të Punës.

Reklamë

“Ne nuk i ikim asnjë përgjegjësie që na takon me ligj. Por, po aq e rëndësishme është që përgjegjësia të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe ligjit, dhe jo sipas nevojës së një deklarate politike”, ka shkruar ai.

Sa i përket rastit të fundit, Hoti ka thënë se Inspektorati Qendror i Punës, pas pranimit të informatës, ka angazhuar inspektorët dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas tij, pas inspektimit është konstatuar se aksidenti ka ndodhur në territorin e një miniere të licencuar nga KPMM-ja dhe se trajtimi i rastit bie në kompetencën e Inspektoratit të Minierave.

Hoti ka theksuar se, pavarësisht kësaj, institucionet duhet të marrin përgjegjësinë aty ku u takon me ligj dhe se çdo rast i neglizhencës apo shkeljes së rregullave të sigurisë duhet të pasohet me masa.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë katër muajve të fundit janë intensifikuar inspektimet në vendet e punës, me fokus të veçantë në sektorët me rrezik të lartë, ndërsa janë ndaluar punimet në mbi 180 vendpunishte.

Reklamë

“Por, në një ditë kur një familje ka humbur njeriun e saj, minimumi që mund të kërkohet nga secili prej nesh është përgjegjësi edhe në fjalën publike”, ka shkruar Hoti.

“Tragjeditë kërkojnë përgjegjësi, jo përfitim politik”, përfundon ai.