Deputetë të PDK-së dhe Aleancës edhe sot kanë shkuar në sallën ku mbahen seancat plenare në Kuvendin e Kosovës ku kanë kërkuar të vazhdohet seanca konstituive.
Altin Krasniqi, deputet i PDK-së, tha se Kosova, që nga 8 gushti, ndodhet në një situatë jo normale dhe se kriza aktuale nuk duhet të trajtohet si një mosmarrëveshje e zakonshme politike.
“Që nga data 8 gusht, Kosova nuk është në një situatë normale. Jemi përballë një krize që nuk mund të trajtohet si një mosmarrëveshje e zakonshme politike. Në këtë moment, përgjegjësia për secilin prej nesh është e qartë: ta mbrojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve tona”, tha ai.
Sipas Krasniqit, mosrespektimi i Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores së Kuvendit krijon një precedent të rrezikshëm.
“Kur Kushtetuta, ligjet dhe Rregullorja e Kuvendit nuk respektohen, krijohet një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm, që rregullat politike të varen nga vullneti i një personi apo nga kalkulimet e një partie politike. Kjo nuk mund të normalizohet”, deklaroi Krasniqi.
Kurse, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se se dobësimi dhe rrezikimi i shtetit nuk vjen vetëm nga keqqeverisja, por edhe nga shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës dhe cenimi i vendimit të sovranit.
“Një mesazh që duhet të shkojë në veshin e atyre që sot prapë nuk janë në vendin e tyre të punës është se dobësimi dhe rrezikimi i shtetit nuk vjen vetëm nga keqqeverisja. Ai vjen edhe duke shkelur mbi vendimin e sovranit, respektivisht demokracisë, vjen nga kryeneçësia, por mbi të gjitha nga vazhdimi i shkeljeve zinxhirore të Kushtetutës”, tha Tahiri.
Ai theksoi se Kushtetuta, si akti më i lartë juridik i shtetit, duhet të jetë detyrim për çdo zyrtar publik dhe jo një dokument që interpretohet sipas interesave politike.
“Kushtetuta duhet të shihet si detyrim, jo si mënyrë. Ajo është korniza që kufizon sjelljen e secilit zyrtar publik, qoftë deputet, kryeministër, president apo çdo zyrtar tjetër publik”, u shpreh Tahiri.
Tahiri kritikoi edhe deputetët, duke thënë se me veprimet e tyre po cenohet edhe betimi i deputetit.
“Sot Kosova është duke e dobësuar veten edhe në rrafshin e brendshëm. Sot deputetët janë duke e shkelur aktin më të shenjtë, betimin e tyre, ndërsa partia që i ka fituar zgjedhjet është duke e shkelur aktin më të lartë, Kushtetutën”, deklaroi Tahiri.

