×
  • Lajme
  • Raporto
  • Shqipëri

    Vrasja e portugezit në Ksamil, zbardhen dëshmitë e shokëve të tij

    Reporteri
    22 Gusht 2026 | 14:51

    Gjithçka në Ksamil ka ndodhur pasi festa në klubin e natës në strukturën luksoze ‘Principotes’, kishte përfunduar. Grupi i të rinjve të huaj, mes të cilëve dhe portugezi 20-vjeçar Luis Miguel, kishin dalë në zonën e plazhit.

    Sipas dinamikës të ndërtuar nga Report Tv, këtu ata kanë nisur të debatonin me zë të lartë me një tjetër grup francezësh.

    Në mesin e kësaj situate me tone të ngritura, në skenë hynë punonjësit e “Principote”, pritësit e turistëve (hostess) David Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanike dhe më pas Sokrat Vata.

    Dëshmitë e shokëve francezë të portugezit, të siguruara nga Report Tv i përshkruajnë kështu këto momente që u bënë shkak i sherrit që do të përfundonte tragjikisht.

    “Ne ishim shtatë shokë. Po festonim në klub ‘Principote’. Pasi mbaroi festa po qëndronim në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra. Ishte shqiptar, por fliste frëngjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: Pse shan? Nëna është e shenjtë. Ai më pas e goditi me kokë shokun tonë dhe, ne u futëm të gjithë në konflikt”, thotë Adib Ghanmi.

    Përshkrimi i tij, sipas hetimit, korrespondon me atë të David Heurtevent, i shpallur në kërkim.

    Edhe turisti tjetër Ibraim Leimoeiv, po francez, jep të njejtën dinamikë, por rrëfimi i tij duket se implikon Heurtevent-in në plagosjen me thikë të një shoku tjetër, Tourpal Khitaev, përpara se të goditej Luis Miguel.

    “Ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt”, thotë Ibrahim Leimoeiv.

    Por vetë Tourpal, përshkruan Vatën si personin që e ka plagosur atë.

    “Dalin dy veta, të cilët ishin punonjës të lokalit dhe na thonë që mos bërtisni se punojmë këtu! Njëri prej tyre, i veshur me rroba të bardha të shkurtra me pak mjekër, flokë geshtenjë më tërheq nga krahu. Ai kishte thikën në dorë dhe më goditi mua në këmbë. Më pas ju bërtiti të gjithëve dhe iu thotë që mos bërtisni. Ky person më ofendoi nga nëna. Unë i them që pse e zë nënën time në gojë, unë nuk zura në gojë nënën tënde. Në këtë moment ai më kapi për fyti dhe më goditi me kokë në fytyrë dhe unë ju pergjigja duke e goditur. Unë pas kam rënë në shezllong dhe ai po vazhdonte të më godiste”, thotë Tourpal Khitaev.

    Dëshmitë e tre shokëve të portugezit, përputhen për rrethanat e momentit të vrasjes dhe përshkrimin e Sokrat Vatës si personin të cilin e kanë parë me një thikë në dorë.

    “Më pas erdhi një person, i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë më këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë në zemër”, dëshmon Ghanmi.

    Dëshmitë e dy francezëve të tjerë janë të ngjashme, por ata thonë se nuk e kanë parë çastin e vrasjes.

    “Kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas ju drejtua Louis Miguel-it. Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Louis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, thotë Leimoeiv.

    “Luisi Migueli u fut për të ndaluar ata që më godisnin dhe më pas unë kam parë që shoku im i cili u vra, po konfliktohej me dy-tre persona me bluza të zeza ndërsa personi me bluzë të bardhë, i cili mbante thikën në dorë po na kërcënonte. Njëri prej tyre me ka kapur dhe më ka larguar nëpër shezlonge. Kur jam kthyer kam parë personin, i cili ishte me të bardha që hoqi këmishën ku në të dallohej që ishte me gjak dhe po largohej drejtim rrugës”, është versioni i Khitaev.

    Si Leimoeiv ashtu dhe Tourpal, e kanë identifikuar këtë person si Sokrat Vatën, pasi hetuesit u kanë vënë përpara fotografinë e tij.

    Në përleshjen me turistët u përfshinë edhe kamerierët Ildi Cekani, Serxhi Selimi, Murat Zhabina dhe Ervis Bunci, si dhe truprojat Luciano Seferi, Moisid Matushaj dhe Romeo Shehu (të dypunësuar pa leje pasi punonin në Policinë e Shtetit, në Policinë e Burgjeve dhe Policinë Bashkiake) dhe Kristi Kosho.

    Pronari i ‘Principotes’, Bekim Bulica, ndodhej në lokal kur ndodhi ngjarja, por u zhduk dhe tani është në kërkim.

    Gjykata vendosi mbajtjen e Vatës në qeli nën dyshimet për vrasje me dashje. Arrest me burg u dha dhe për 5 persona të tjerë të përfshirë, dy turqit dhe 3 kamarierë, ndërsa për 5 truproje detyrim paraqitje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!