Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, ka reaguar pas publikimit të dokumenteve që, sipas tij, dëshmojnë se zyrtarë të lidhur me Qeverinë e Kosovës kanë vizituar Serbinë gjatë vitit 2024, disa muaj pas sulmit terrorist në Banjskë.

Ramadani i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar që të ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje.

“Zyrtarët e shtetit shkuan në Serbi pas sulmit në Banjskë!”, ka shkruar Ramadani, duke pretenduar se vagonët e trenave të Kosovës janë renovuar në Serbi, me mjete nga buxheti i Kosovës.

Reklamë

Sipas tij, vizita e zyrtarëve në Serbi është zhvilluar në vitin 2024, pas sulmit të 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ramadani ka kërkuar nga Kurti që të veprojë lidhur me këtë rast, duke thënë se ka pritur që Rizvanolli të largohej menjëherë nga detyra.

Postimi i tij i plotë:

Zyrtarët e shtetit shkuan në Serbi pas sulmit në Banjskë!

z. Kurti,

Reklamë

Ndoshta nuk ju ka njoftuar askush se zyrtarët e lidhur me Qeverinë tuaj shkojnë në Serbi.

Ndoshta as mediat nuk i keni parë, por me dokument ka dalë dëshmia.

Ndoshta nuk e keni ditur, por sot nuk mund të thoni se nuk keni informacion.

Prandaj, sot veproni!

Reklamë

Sot asgjë nuk ju shfajëson nëse nuk veproni!

Vagonët e trenave të Kosovës renovohen në Serbi. Me para të popullit të Kosovës. Me djersën e policëve, ushtarëve, arsimtarëve e ekonomisë së Kosovës.

Vizita në Serbi e zyrtarëve të lidhur ne Qeverinë tuaj është bërë në vitin 2024. Apo nuk e keni ditur? S’ju kanë informuar?

Krejt kjo hiq pak muaj pas sulmit terrorist të grupit paramilitar të Serbisë në Banjskë. Pak muaj pasi ata vranë rreshterin e Policisë sonë, Afrim Bunjaku, tashmë Hero i Kosovës.

Reklamë

TRAINKOS, z. Kurti, është ndërmarrje publike që në thelb për udhëheqëse kanë Artana Rizvanollin, të emëruar ministre nga ju. Ata funksionojnë me paranë e popullit të Kosovës, këtij populli të cilin e sulmoi Serbia përmes Grupit Paramilitar më 24 shtator 2023.

Pra, zyrtarët e lidhur me Qeverinë tuaj pak kohë pas atij sulmi edhe bën kontratë me Serbi, edhe vizituan Serbinë.
Dhe, unë prita që sot në mëngjes ju do ta largoni menjëherë dhe pakthyeshëm nga ekipi juaj Artane Rizvanollin.

E më pas, të fillojë procedura edhe ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë tmerr institucional.

P.S
Dikush duhet t’i kishte marrë në pyetje këta se pse shkuan e kënd e takuan!

Reklamë