Një punëtor ka humbur jetën të hënën në një vendpunishte në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për rastin është ndaluar një person për 48 orë.

“Sot, rreth orës 10:30, Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm është njoftuar për një aksident të ndodhur në një vendpunishte në lagjen ‘Veternik’ në Prishtinë, ku një punëtor ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Reklamë

Sipas Prokurorisë, viktima dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë kryerjes së punimeve dhe, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, ka humbur jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar me inicialet Xh.Sh., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, bëhet e ditur në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarët okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

“Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit”, thuhet më tej.

Reklamë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet e tjera kompetente, ka bërë të ditur se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.