Një person ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ishte lënduar në një aksident trafiku të ndodhur më 24 gusht në rrugën Podujevë–Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se viktima ishte këmbësor.

“Sot, rreth orës 10:00, nga QKUK kemi pranuar informatën se këmbësori, i cili ishte lënduar në aksidentin e trafikut të ndodhur mbrëmë në rrugën Podujevë–Prishtinë, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, ka thënë Ahmeti.

Reklamë

Në lidhje me rastin, Policia ka arrestuar shoferin e dyshuar, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas policisë, pas aksidentit hetuesit e Njësitit Rajonal të Trafikut kanë ndërmarrë veprime për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit.

“Personi i dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Ahmeti.

Rasti po hetohet nga autoritetet përkatëse.