Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po vazhdojnë takimin në Kuvendin e Kosovës, i cili ka nisur në orën 18:00 dhe tashmë ka zgjatur më shumë se dy orë.

Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një emër konsensual për presidentin e ri të Kosovës.

Para takimit, Kurti u ka thënë mediave se palët do të jenë të hapura lidhur me procesin, por ka kërkuar që bisedimet të mbeten konfidenciale deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Reklamë

“Do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje na duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në takim sot”, është shprehur Kurti.

Në takim, përveç Abdixhikut, janë edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Takimi i sotëm vjen pas atij të 18 gushtit, kur Kurti dhe Abdixhiku thanë se kishin arritur pajtim në parim për profilin dhe kriteret që duhet t’i përmbushë presidenti i ardhshëm, ndërsa emrat konkretë nuk ishin diskutuar.