Me gjashtë vota për, Afërdita Bytyqi është zgjedhur zëvendës kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në mbledhjen e sotme të këtij mekanizmi të drejtësisë.

Kundërkandidati i saj, Artan Abazi, mori pesë vota.

Mandati i Bytyqit në pozitën e re është tri vjet.

Reklamë

“Unë zotohem që do të punoj me secilin dhe do të mundohem të kontribuoj në tërë kapacitetin tim në drejtim të avancimit të sistemit të drejtësisë. Për një Këshill Gjyqësor më të avancuar dhe transparent”, theksoi ajo.

Zgjedhja e zëvendës kryesueses së KGJK-së ishte vetëm njëra nga pikat e shumta të mbledhjes së këtij mekanizmi të drejtësisë kosovare, të enjten.

Në mbledhjen e së enjtes Këshilli Gjyqësor pritet ta shqyrtojë edhe kërkesën e ushtrueses së detyrës së presidentes për t’i trajtuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të deponuara në fund të vitit 2022, si edhe njoftimin e gjyqtarëve për tërheqjen e këtyre dorëheqjeve.